Një komunikim i Ambasadës amerikane në Kosovë drejtuar Washingtonit ka përfunduar në duart e gazetarëve të portalit amerikan Politico.
Në të, ambasadori amerikan, Philip Kosnett flet për menaxhimin joefikas të Covid-19 nga qeveria e Kosovës dhe faktin që mes tjerash, stafi i ambasadës rrezikohet edhe nga qentë agresivë endacakë.
“Në letrën e nënshkruar nga ambasadori amerikan, Philip Kosnett, thuhet se ambasda në Prishtinë është “afër prekjes së fundit”. Edhe para Covid-19, Kosova është vend i vështirë për të shërbyer, me ndotje të lartë të ajrit, pak hapësira të gjelbërta, pak mundësi për aktivitete në natyrë dhe me infrastrukturë të keqe. Prishtina madje ka “tufa të kudondodhura të qenve endacakë”, që mund “të jenë agresivë kur janë në kërkim të ushqimit”. Për këtë dhe arsye të tjera, stafi i Ambasadës në masë të madhe janë mbyllur brenda gjatë krizës së Covid-19”, thuhet në telegram.
Më tutje thuhet se stafi i Ambasadës është reduktuar, dhe ata që punojnë kanë orar më të zgjatur që ka ndikuar edhe në “sulme të ankthit, dhimbje gjoksi, humbje të gjumit” për disa, siç e ka përshkruar një punëtor. “Konfliktet ndër-njerëzore brenda ambasadës janë shtuar”, thuhet në letër.
Aty kritikohet qasja e qeverisë dhe popullit të Kosovës ndaj pandemisë. “Rreth 20 % e stafit të ambasadës janë infektuar me Covid-19, dhe shumica dërmuese janë staf lokal, që është indikacion për kontrollin joefektiv të sëmundjes në Kosovë. Kosova sillet sikur një vend që nuk ka raste me Covid-19…Por, Kosova është një shtet i shkatërruar nga pandemia…Në SHBA, nëse nuk vini maskën në publik mund të përfundoni në video virale, por në Kosovë keni gjasa të jeni trend në media sociale nëse e vendosni maskën”, përfundon telegram i ambasadorit Kosnnet.