Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani është shpallur kampion i antikorrupsionit për vitin 2024 nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Në një ceremoni të zhvilluar në DASH, me praninë e Sekretarit amerikan të Shtetit Anthony Blinken, kreu i SPAK ishte mes 10 emrave për kampion global të antikorrupsionit.
Motivacioni me të cilën u vlerësua Altin Dumani ishte: Njohja e përpjekje që ka bërë dhe po bën kundër korrupsioni dhe krimit të organizuar si kreu i SPAK në Shqipëri.
“Falë Dumanit, sot SPAK është institucioni më i besuar publik në Shqipëri.” – tha Blinken.
Ambasada amerikane në Tiranë ka uruar kreun e SPAK, Altin Dumani.
Në reagimin e ambasadës thuhet se ky çmim nderon vendosmërinë, guximin dhe integritetin e palëkundur të kreut të Prokurorisë së Posaçme në ndjekjen e drejtësisë.
Më tej, theksohet se SHBA do të vazhdojë të punojë me SPAK dhe institucionet e tjera të drejtësisë.
“Ambasada e SHBA i shpreh urimet Altin Dumanit për vlerësimin me Çmimin për Kampionët Kundër Korrupsionit për vitin 2024 në vlerësim të përpjekjeve të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit. Ky çmim nderon vendosmërinë, guximin dhe integritetin tuaj të palëkundur në ndjekjen e drejtësisë në emër të popullit shqiptar. Puna juaj frymëzon të gjithë ata që besojnë në fuqinë e së vërtetës dhe llogaridhënies. Ambasada e SHBA do të vazhdojë të punojë me ju, me SPAK dhe me të gjithë institucionet e drejtësisë për të bërë realitet barazinë përpara ligjit për të gjithë qytetarët e Shqipërisë.” – thuhet në reagim.