‘Alternativa’ prezanton Kastriot Jahën për deputet nga Prizreni

E publikuar: 22/05/2017 11:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

‘Alternativa’ e Mimoza Kusarit dhe Ilir Dedës sot ka prezantuar para medieve kandidatin e saj për deputet nga qyteti i Prizrenit, Kastriot Jahaj.
Jahaj u shpreh se koalicioni të cilit ai i takon është edhe mundësia më e mirë e zgjedhjes më 11 qershor.

“Qytetarët tani nuk kanë nevoje t’i votojnë politikanët që janë të korruptuar. Koalicioni LDK-AKR-Alternativa tani është mundësia më e mirë”, tha Jahaj, përcjell gazetametro.net

Ai ka shtuar se Mimoza Kusari-Lila dhe Ilir Deda tashmë e kanë dëshmuar që marrin vendime në të mirën e vendit dhe qytetarëve.

“Prizreni vazhdimisht është keqpërdorur dhe shfrytëzuar vetëm në kohë fushatash, Prizreni ka nevojë për përfaqësim të dinjitetshëm në Kuvendin e Kosovës, dhe për politikanë që nuk i vjedhin qytetarët. I ftoj të gjithë qytetarët e Prizrenit të votojnë Alternativën dhe të më votojnë mua si deputet”, tha ai ndër tjerash.

‘Alternativa’ garon në listën zgjedhore të koalicionit LDK-AKR, në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 11 qershorit.