Pas kampionatit vjen radha e Kupës. Juventusi është në mes të rrugës për realizimin e tre objektivave sezonalë dhe ora e trofeut të dytë më të rëndësishëm në Itali po troket. Suksesi në këtë eveniment nuk është regjistruar ende nën presidencën e Andrea Agnellit dhe trajneri Massimiliano Allegri shikon përpara me optimizëm. Trajneri bardhezi kërkon që skuadra e tij t’i harrojë dy sukseset ndaj bardhkaltërve në kampionat.
“Është një ndeshje e ndryshme dhe nuk ka aspak lidhje me përballjet e kampionatit. Pirlo do të luajë sepse deri në 6 Qershor kemi mundësi për të rikuperuar energji. Kupa e Italisë ka qenë objektivi jonë i dytë dhe është shumë e rëndësishme të fitojmë për të shkuar me moral të lartë në finalen e Berlinit. Krahasimet me Conten nuk më interesojnë pasi ai do të mbetet në historinë e klubit. Nëse Juventusi ka fituar 4 tituj rresht kjo do të thotë se klubi ka punuar mirë. Nuk është asnjëherë e lehtë të rifitosh një trofe sepse uria bie. Gjithsesi, ne kemi treguar se jemi ende të uritur dhe tregues për këtë është ndeshja në San Siro kundër Interit”.
Në “Olimpico” 5 vjet më parë Allegri festoi titullin e parë me Milanin dhe ky stadium sjell kujtime të ëmbla për të.
“Shpresoj që të më sjellë sërish fat. Nëse më duhet të zgjedh një kafshë, do ta krahasoja Juventusin me një tigër. Ndeshja me Lazion na e ka ngritur shumë tensionin. Kam ende disa dyshime rreth formacionit por e kam të gjithë grupin në dispozicion dhe kush do të luajë do të japë maksimumin”.
Pa Marchision dhe Moratan, Allegri duhet t’i besojë modulit 4-3-1-2, me Storarin në vend të Buffon, Llorenten dhe Tevez në sulm, Pereyra i tërhequr në mesfushë dhe Vidal, Pirlo e Pogba përpara mbrojtjes.