Alla: Nuk mbaron gjithcka në Korcë

E publikuar: 14/03/2017 19:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fundjava rezervon një nga sfidat më të rëndësishme të kampionatit, duelin e titullit midis Skënderbeut dhe Kukësit. Në vitet e fundit verilindorët kanë qënë rivalët e korcarëve, teksa këtë edicion kryesojnë kampionatin dhe shkojnë në këtë transfertë me pretendime maksimale. Kukësi ka mbrojtjen më të mirë të kampionatit së bashku me Partizanin, me 10 gola të pësuar. Senatorit Ylli Shameti këtë edicion i është bashkuar Albi Alla, me 24-vjecarin që është evidentuar si një nga mbrojtësit më të mirë të kampionatit. Përvecse të luajë mirë në fushë, Alla është i tillë edhe përpara kamerës, ku tregohet diplomat, duke e vlerësuar këtë si një sfidë që nuk vendos asgjë.

“Është një finale e parakohëshme, por që nuk mbaron gjithcka në Korcë”.

Ishte Skënderbeu që e afroi qendërmbrojtësin në kampionatin shqiptar nga Ergotelis, por pa i besuar në asnjë moment vendin në skuadër. Huazimi në Ballsh tek Bylis u shoqërua me transferimin përfundimtar tek Kukësi aty ku tani kërkon të arrijë majat, por pa menduar për të shkuarën.

“Nuk është një sfidë personale, ne shohim përpara, pasi tani jam tek Kukësi dhe shpresojmë të arrijmë objektivat.”

Skënderbeu në sulm ka lojtarë të jashtëzakonshëm, duke nisur me Salihin për të vijuar me James, Latifin, Plakun apo edhe belgun Ogunjimi. Megjithatë Albi Alla nuk i druhet emrave që ka përballë duke iu referuar sfidave të luajtura në dy fazat e para.

“Ata janë lojtarë me klas dhe i vlerësojmë shumë. I ndalëm në dy ndeshjet e para dhe shpresojmë ti ndalim sërish.”

Në duele të tilla, lojtarët shfrytëzojnë mediat për të kërcënuar kundërshtarin, por qendërmbrojtësi i Kukësit tregohet tepër modest.

“Se kush do të fitojë do ia lëmë fushës.”