Debati midis Alketa Vejsiut dhe Endri Priftit.
Endri Prifti u bë pjesë e një spektakli, formati i të cilit ka të bëjë me imitimin e VIP-ave të huaj dhe shqiptarë, por dalja në natën e parë të këtij spektakli që realizohet për herë të parë në Shqipëri ishte jo edhe aq e këndshme. Në rrjetet sociale komentet kanë vërshuar si në adresë të këngëtarit, duke e kritikuar atë, por edhe për moderatoren Alketa Vejsiu, e cila sipas komentuesve duhet ta kalonte situatën e krijuar me më tepër sportivitet. Pas një bisedë që u shndërrua në debat, Alketa Vejsiu i tërheq mikrofonin Endrit, duke mos e lejuar të vazhdonte më tej. Debati u zhvillua pas performancës së Endri Priftit, në kohën kur juria e përbërë nga Arjan Çani, Bleona Qereti dhe Bojken Lako duhet të komentonte performancën e këngëtarit. Komplimentet karshi prezantuese u përkthyen si ofenduese. Por sikur të mos mjaftonte, në përfundim të spektaklit, pati sërish një konfrontim verbal midis dy personave në fjalë, ku pasi Endri i dha pesë pikët e tij Alketës (pikët duhet të jepeshin për një nga artistët që performuan), kjo e fundit nuk i dha më shanc dhe pikët e tij nuk shkuan për asnjë nga artistët. Ndër të tjera, Vejsiu e këshilloi Priftin që herë tjetër të konsumojë më shumë ujë se sa alkool.
Debati
Endri Prifti: Për mua nuk ka asgjë të vështirë.
Alketa Vejsiu: Ku e ke kamerën? Sfidoje pak kamerën.
Endri Prifti: Kamera duhet të vijë te unë.
Endri Prifti: Dje ishim në provë gjenerale. Të flasim pak tani. (Ndërhyn Alketa, duke i thënë se nuk kanë kohë televizive.) Mbrëmë Alketa Vejsiu, ky ylli, kjo princesha, kjo bukuria, ishte me tuta sportive. Unë gjithmonë kur jam pranë ekranit, kur shoh artiste si puna e Alketës, nuk e lëviz televizorin, shikoj bukurinë përveç spektaklit. Dje ishe me tuta dhe më shkatërrove fare… Sot je bërë si sirenë. (qesh publiku)
Pas disa shakave të tjera, Endri thërret asistentin, i cili sjell ballokume me rastin e ditës së verës. Debati më pas vijon duke përfshirë edhe një nga anëtarët e jurisë, Arjan Çanin.
Alketa Vejsiu: Bëj pak pushim që të të vijnë idetë.
Arjan Çani: Ç’do me thënë “Siamo soli”
Endri Prifti: Nuk jemi vetëm
Arjan Çani: Jo, jemi vetëm.
Endri Prifti: Kryesorja është që kur bën dashuri mos më thuaj që nuk mendon për mua.
Alketa Vejsiu: Unë të them edhe këtë, të marr mikrofonin. Shko pas kuintave. Disiplinohu, pastaj eja këtu, sepse dole pak nga orbita. Jo sepse këtu te programet e mia ka limite. Nuk mund të themi çfarë na vjen në mendje. Të sugjeroj të normalizohesh, të ulesh e takohemi pastaj. Po sepse po flet përçart dhe unë nuk e përballoj dot këtë të folurën tënde përçart, në skenë përpara miliona shikuesve.
Pas kësaj, juria komenton performancën dhe moderatorja thotë se, Endri është një artist me atribute të veçanta vokale, duke prezantuar kështu artistin e radhës që do të përformonte.


















