Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, dhe ai i Administratës dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë nënshkruar marrëveshjen për rregullim të rrjetit të ujësjellësit në dy lagje të Fushë Kosovës.
“Po bëjmë realitet një tjetër premtim, për të cilin jemi angazhuar bashkë me ministrin e MAPL-së, z. Elbert Krasniqi”, ka shkruar Aliu në Facebook.
“Sapo nënshkruam marrëveshjen për financimin e projektit të rregullimit të rrjetit të ujësjellësit në komunën e Fushë Kosovës, për lagjen 028 dhe 029, Bardhin e Madh, si dhe fshatin Sllatinë e Madhe”.
“Projekti synon që të ndikojë në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore, në kuadër të përkrahjes së komunave”.
Aliu njoftoi se MPHI-ja do ta financojë projektin, ndërkaq vlera e projektit është një milion euro.
“Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës do të bëjë financimin e projektit dhe pagesat për vlerën e financimit do të bëhen në bazë të realizimit të punimeve sipas kushteve të kontratës”.
“Vlera e projektit është 1.000.000,00 €, ku në vitin 2022 do të financohet shuma 300.000,00 € dhe në vitin 2023 është paraparë financimi i vlerës prej 700.000,00 €”.