Alisson konfirmon largimin: Falënderoj tifozët e Romës, është koha për një aventurë të re

E publikuar: 19/07/2018 01:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Alisson Becker i ka falënderuar tifozët e Romës dhe ka thënë se është koha për një aventurë të re, teksa pritet transferimi i tij te Liverpooli.

Klubi anglez ka arritur marrëveshje me Giallorossët që ta blejë brazilianin për 67 milionë funte (75 milionë euro).

Alisson Becker (Foto: Getty Images)

Në ndërkohë, portieri duhet të arrijë marrëveshje personale dhe t’i kryejë ekzaminimet mjekësore, para se të finalizohet marrëveshja.

Dhe derisa nuk ka asgjë zyrtare nga klubet, Alisson e ka bërë të qartë se do të largohet nga Roma.

“Dua t’i falënderoj tifozët e Romës. Tash është koha për një aventurë të re”, ka thënë portieri në aeroportin Ciampino të kryeqytetit italian.

Alisson Becker (Foto: Getty Images)

25-vjeçari ka qenë fantastik në sezonin 2017/2018 duke joshur interesimin e klubeve të mëdha për shërbimet e tij.

Ai ka qenë portieri startues i Brazilit në Kampionatin Botëror, ku arriti deri në çerekfinale.

Nëse ndodh ky transferim, atëherë do të jetë shitje rekord për një portier. /Telegrafi/