Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka pranuar titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës.
Ahmeti përmes një postimi në Facebook tha se ky vlerësim lidhet ngushtë me rrugëtimin e përbashkët për sigurimin e të drejtave të shqiptarëve, ndërtimin e paqes dhe përparimin drejt integrimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut, transmeton KosovaPress.
“Sot pata nderin e veçantë të pranoj titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës.Ky vlerësim lidhet ngushtë me rrugëtimin tonë të përbashkët për sigurimin e të drejtave të shqiptarëve, ndërtimin e paqes dhe përparimin drejt integrimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Ahmeti.
Ahmeti u shpreh mirënjohës për këtë nderim duke thënë se ky çmim nuk i përket vetëm atij por të gjithë atyre që kanë ndarë të njëjtën rrugë, sakrificë dhe përpjekje.
“Ky çmim nuk është vetëm për mua, por për të gjithë ju, për çdo sakrificë, çdo përpjekje dhe çdo hap që kemi bërë së bashku në këtë rrugë të gjatë.Jam mirënjohës për këtë nderim dhe i vendosur që të vazhdojmë punën për çështjen kombëtare dhe për të ardhmen evropiane të vendit tonë”, shkruan ai në Facebook.



















