Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka përkujtuar sot figurën e ish-liderit të PDSH-së, Arbën Xhaferi, në 13-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, duke e vlerësuar si një prej personaliteteve më të shquara të historisë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Në një postim emocional, Ahmeti tha se mungesa e Xhaferit ndihet njësoj si ditën e parë të largimit të tij fizik, duke kujtuar rolin e rëndësishëm që ai kishte gjatë luftës së vitit 2001 dhe në periudhën pas konfliktit.
“Gjatë luftës së vitit 2001, kur kombi kishte nevojë për unitet, ai ishte aty për të bashkërenduar veprimet tona. As pas luftës, takimet dhe bashkëpunimi ynë nuk u ndalën”, shkruan Ahmeti.
Ai zbulon edhe një moment të ndjerë personal nga marrëdhënia e tyre: “Shpesh më thoshte: ‘Më konsidero si vëlla të madh.’ Dhe, ashtu ishte – një vëlla i madh, një mik i urtë dhe një mendje e kthjellët që e donte kombin mbi gjithçka.”
Ahmeti e përmbyll mesazhin e tij me fjalët: “I përjetshëm kujtimi për Arbën Xhaferin!”
Arbën Xhaferi, intelektual, filozof dhe lider politik, mbetet një nga figurat më të respektuara në skenën politike shqiptare, i njohur për vizionin e tij politik dhe përkushtimin ndaj çështjes kombëtare.


















