Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka caktuar takimin e radhës për 29 dhjetor 2025, ku pikë e rendit të ditës është edhe përzgjedhja e Zëvendës-Kryeprokurorit të Shtetit. Sipas letrës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, për këtë pozitë e ka propozuar Aleksandër Lumezin.
Sipas agjendës së takimit të KPK-së të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, në pikën e shtatë të rendit të ditës është “Propozimi i u.d. Kryeprokurorit të Shtetit për zgjedhjen e Zëvendës Kryeprokurorit të kësaj zyre”.
Ndërkaq, në letrën që Qalaj ia ka drejtuar KPK-së më 24 dhjetor, propozon Lumezin për këtë pozitë.
“ … me qëllim që të garantohet vazhdimësia institucionale, ushtrimi i plotë i kompetencave dhe përmbushja e të gjitha detyrave dhe përgjegjësive në përputhje me legjislacionin në fuqi, propozoj caktimin e prokurorit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z.Aleksandër Lumezi, në pozitën e Zëvendës Kyreprokurorit të Shtetit”, thuhet në këtë shkresë.
Kujtojmë se Agron Qalaj është caktuar nga KPK në pozitën e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit në mbledhjen e 22 dhjetorit, pas miratimit të kërkesës së Besim Kelmendit për dorëheqje nga kjo pozitë.
Kush është Aleksandër Lumezi:
Lumezi kishte ushtruar pozitën e Kyreprokurorit të Shtetit nga qershori vitit 2015 deri në prill të 2022-ës.
Shkrimet e Institutit të Kosovës për Drejtësi rreth Lumezit:
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në nëntor 2017 kishte publikuar analizën me titull “Dosja e manipuluar e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksander Lumezit”, e cila analizë kishte trajtuar rastin e ngritur në publik rreth dyshimeve për provim të falsifikuar të jurisprudencës nga Lumezi.
Më tutje, IKD kishte publikuar shkrimin tjetër të titulluar “Hetimet parapenale dhe vendimi i kundërligjshëm i prokurorit Kujtim Munishi për dosjen e shefit të tij, Aleksandër Lumezi”, ku është sqaruar se si trajtimi i dyshimeve për provim të falsifikuar të jurisprudencës nga Kyreprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ishte bërë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale.
Gjithashtu, IKD për këtë situatë përmes reagimit kishte kërkuar hetime të pavarura për dyshimet lidhur me dosjen e manipuluar të Aleksandër Lumezit mbi dhënien e provimit të jurisprudencës përmes krijimit të një ekipi të prokurorëve të EULEX-it me prokurorë amerikanë, britanikë dhe gjermanë
Po ashtu, IKD përmes raportit me titull “Anëtarë të KGJK-së dhe KPK-së vazhdojnë të marrin shtesa e të avancohen në kundërshtim me ligjin” e në të cilin ndër të tjera ishte theksuar se si Lumezi kishte avancuar në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit edhe prokurori Bahri Hyseni, vetëm disa javë pasi të njëjtit i kishte skaduar mandati si kryesues në KPK.
Përmes analizës tjetër që IKD kishte publikuar me titull “Drejtësia me spektakle arrestimesh po cenon sigurinë juridike të qytetarëve dhe po dëshmon kapjen e sistemit të drejtësisë”, ishte theksuar se si Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherit ish-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në shumë raste kishte mbrojtur dhe përkrahur Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, nën dijeninë e të cilit është kryer edhe arrestimi i Kryetarit të Komunës së Istogut.
Po ashtu, Organizatat e Shoqërisë Civile kishin reaguar në përkrahje të protestës!: Shkarkim Kryeprokurorit, veting gjyqësorit” përmes të cilit pas dorëheqjes së ish-prokurorit special, Elez Blakaj kishin kërkuar më pas dorëheqjen e Lumezit nga pozita e Kryeprokurorit të Shtetit.
















