Shefi i Grupit t deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës Slavko Simiq sot edhe zyrtarisht e ka marrë detyrën e kryetarit të Listës Serbe nga Aleksandar Jablanoviq i cili është emëruar sekretar shtetëror në Ministrinë për Punë, punësim dhe çështje sociale e të luftës të Qeverisë së Serbisë të cilën e udhëheq Aleksandar Vulin.
Jablanoviq, në gjysmën shtatorit, është ndërruar nga funksioni i kryetarit të Listës serbe pas ndërhyrjes së kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq, njoftojnë medie të Beogradit, transmeton Koha.net.
Aleksandar Jablanoviq ishte ministër për Kthim e komunitete në Qeverinë Mustafa – Thaçi. Nga ky post ai u shkarkua pas presionit dhe protestave qytetare kundër tij në janarin e këtij viti. Paraprakisht ai kishte fyer nënat e viktimave të krimeve serbe gjatë luftës në Gjakovë që nuk kishin lejuar gjoja një vizitë fetare të serbëve në këtë qytet .
Aleksandar Vulin, në Ministrinë e të cilit u emërua Jablanoviq, është i njohur me deklaratat provokuese kundër Kosovës dhe me vizitat që i bën me leje e pa leje të Qeverisë së Kosovës në veri dhe nëpër vendbanimet serbe në Kosovë .
Jablanoviq, pas emërimit sekretar në Ministri ka thënë se do ta arsyetojë punën në këtë post që ia ka besuar kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
“Kështu (me ketë emërim) vihet pika mbi një sulm dhe mbi një gënjeshtër të madhe për mua që u plasua në medie nga disa serbë se jam mercenar i AAK-s së Ramush Haradinajt. Se jam bashkëpunëtor i shërbimeve të huaja dhe tradhtar i Republikës së Serbisë. Unë gjithmonë kam punuar në interes të Serbisë dhe do të vazhdoj të punoj për këtë interes”, ka thënë Jablanoviq.
Drejtoresha e Zyrës për regjistrim e verifikim në KQZ të Kosovës, Miradije Mavriqi i ka thënë agjencisë serbe të lajmeve pranim dorëzimi i detyrës së kryearti të Listës Serbe ndërmjet Jablanoviqit e Simiqit është bërë sipas të gjitha ligjeve dhe rregulloreve të KQZ-së së Kosovës.