Aleatët që i duhen një lideri

E publikuar: 03/06/2015 19:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

ANTONIO POLITO
Një opozitë konkurruese u bën mirë qeverive. I takon Renzit ta shfrytëzojë më së miri kohën, jo të shkurtër, që do të duhet përpara se të bëhet një alternativë e vërtetë

Edhe pas zgjedhjeve rajonale, Renzi mbetet zotëruesi i politikës italiane. Nuk ishte e sigurt. Në mbrëmjen e zgjedhjes ndodhej vetëm 65 mijë vota larg humbjes. Ishte distanca që ndante në Campania De Luca-n nga Caldoro. Po ta kishte humbur edhe Napolin, përveç Genova-s dhe në Veneto, sot do të flisnim për një histori tjetër. Ndoshta tani është më e qartë se përse kryeministri sfidoi logjikën dhe ligjin për të mbështetur kandidatin e dënuar: në të vërtetë ishte ai që kishte nevojë për De Luca-n.

Kështu që ndeshja mbaroi në barazim, me një rajon të humbur dhe një të marrë, jo edhe aq keq për dikë që qeveris prej një viti e gjysmë. Renzi ishte mësuar të ngjitej nëpër sondazhe si guru i filmit të Sorrentinos. Votimet e së dielës e rikthyen me këmbë në tokë, por pa e përplasur.

Por kutitë e votimit e zhdukën Partinë e Kombit, sikurse ishte cilësuar PD-ja renziane, e cila një vit më parë në zgjedhjet europiane mori 40% të votave dhe që synonte të trashëgonte votat berluskoniane që po fluturonin tutje. Ajo u zëvendësua nga PD-ja e zakonshme, e përbërë nga çifligarët e jugut dhe nga mandarinat e stazhionuara në rajonet e kuqe. Më shumë se sa në Liguria, projekti i mësymjes në qendër u mposht në Veneto, ku PD-ja iu kthye votave të papërfillshme të kohërave të DS-së, e shtypur nga lega dhe e shtyrë nga centristët e Tosi-t. Dhe atje nuk mund t’i vihet faji as pakicës së brendshme. Po të ishte mbyllur dritarja e mundësive që u hap vetëm një vit më parë në Luginën Padane, zemër politike dhe sociale e moderimit italian, partia e re e Renzit do të ishte e vjetër tashmë.

E gjithë kjo thërret në lojë problemin e aleancave, politike dhe sociale. Rruga e reformave e nisur nga qeveria duhet të vazhdojë, nuk është më pak e nevojshme. Por për ta rimarrë hapin, ndoshta kryeministri duhet të heqë dorë nga ndonjë tifoz për të nisur të krijojë ndonjë aleancë. Vetmia e liderit është një kusht thuajse i pashmangshëm, por reformizmi nga lart është një gabim që e kemi parë edhe në të shkuarën. Kërkimi shpesh i hapur i përplasjes me trupat e ndërmjetëm nuk dha kësaj here frytet e shpresuara. Kështu që rrezikohet të paguhet çmimi më i lartë pikërisht atëherë kur ka më tepër të drejtë, si në rastin e shkollës.

Paradoksalisht, Renzi mund të ndihmohet në këtë maturim nga një tjetër efekt i votimit rajonal. Vendi i dytë, pra roli i sfiduesit të mundshëm në balotazhin për Italicum, nuk u shkoi Pesë Yjeve, pavarësisht rezultatit të shkëlqyer, por një qendre të djathtë, të cilën askush nuk e di saktësisht se çfarë është dhe se nga kush mund të udhëhiqet, por të gjithë e kanë kuptuar se ekziston dhe se kur është e bashkuar, edhe në rastin më të keq, vazhdon të jetë në gjendje të fitojë, ashtu sikurse në Liguaria. Për kryeministrin është një lajm i mirë, mund ta ndihmojë të shmangë mëkate krenarie. Një opozitë konkurruese u bën mirë qeverive. I takon Renzit ta shfrytëzojë më së miri kohën, jo të shkurtër, që do të duhet përpara se të bëhet një alternativë e vërtetë.

Corriere della Sera

/Përkthimi: Mapo.al/