“Aleanca do të ketë dyshifrorë”, ja çfarë po paralajmëron Haradinaj për zgjedhjet e 28 dhjetorit

E publikuar: 30/11/2025 13:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të garojë si subjekt i vetëm në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka deklaruar nënkryetari i kësaj partie, Daut Haradinaj.

Haradinaj në intervistën për KosovaPress tha se po synojnë rezultate të mira dhe se “nuk do të ketë krijim të institucioneve pa Aleancën dhe do të jetë një parti e konsoliduar parlamentare”.

Lista zgjedhore e kandidatëve për deputetëve, shton ai se do përbëhet nga 110 figura të të gjitha fushave.
Haradinaj tha se për zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit po hartojnë një program real dhe se oferta e tyre është për ndryshim të gjendjes në vend.

Aleanca po shpreson në rezultate e përqindje më të lartë në këto zgjedhje të jashtëzakonshme.

Ai konfirmoi se gjatë këtyre ditëve kanë zhvilluar takime pothuajse me të gjitha partitë politike, por që qëndrimi i tyre është garimi pa marrëveshje parazgjedhore.

“Po me të gjithë [jemi takuar], domethënë, pa dallim, përveç Vetëvendosjes, po i kemi raportet shumë të shëndosha edhe me LDK-në, edhe me PDK-në edhe me iniciativa qytetare në nivele komunale, me shoqëri civile, me njerëz të mediave, me njerëz të kulturës, po ka pasë, do të ketë prapë kemi kohë edhe disa ditë, por mendoj që Aleanca do ta ruan identitetin e vet si subjekt politik, edhe gjasat reale janë që do të garojmë si subjekt vetëm, pa ndonjë marrëveshje parazgjedhore, me ndonjë subjekt të madh politik po flas, jo pse Aleanca ndoshta njëanshëm po don, por kështu është krijuar momentumi edhe nganjëherë ndikohesh prej momentumit…. Aleanca prapëseprapë do të garojë me logon e vet- AAK dhe brenda kësaj liste do të jenë 110, ku do të jenë të përfshirë pothuajse të gjitha kategoritë.” – thekson ai.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në zgjedhjet e 9 shkurtit ka garuar në koalicion me Nismën Socialdemokrate. Ky koalicion doli në vendin e katërt me 7.06 për qind të votavem ose tetë ulëse.

Nënkryetari i AAK-së, Daut Haradinaj, deklaroi se koalicioni me Nismën nuk rezultoi i suksesshëm dhe, sipas tij, madje shkaktoi edhe dëm.

Zgjedhjet më 28 dhjetor u caktuan nga presidentja Vjosa Osmani, më 20 nëntor, pasi shpërndau legjislaturën e nëntë, meqë gjatë tetë muajve nuk arriti të funksionalizohet puna e kuvendit dhe dy herë dështoi edhe zgjedhja e qeverisë.

Fushata zgjedhore do të fillojë me datën 17 dhjetor, ndërkaq periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës ka nisur me datën 26 nëntor dhe përfundon me 6 dhjetor.