Albulena Haxhiu, ka reaguar pas raportimeve se Kushtetuesja ka marrë vendim që ta rrëzojë dekretin e presidentit Thaçi

E publikuar: 22/05/2020 11:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas raportimeve në media se Kushtetuesja tashmë ka marrë vendim që ta rrëzojë dekretin e presidentit Thaçi, mirëpo që këtij të fundit do t’i jap afat 15 ditë kohë për ta caktuar mandatarin e ri për kryeministër.

Haxhiu shkruan se publikimi i aktgjykimit në media, ende pa u bërë publik zyrtarisht, tregon se Gjykata nuk është e pavarur.

Madje, ministrja e Drejtësisë edhe e ka komentuar vendimin e raportuar në media, duke thënë se Gjykata e ka në interpretimin e Kushtetutës, dhe jo amandamentimin e saj.

“Sipas Kushtetutës, nuk ka afat për mandatarin. Gjykata nuk mund të caktojë afat. Kjo do ta shkatërronte rendin kushtetues dhe demokracinë”, ka thënë Haxhiu.

Kujtojmë, se ishte pikërisht ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ajo që nuk u përgjigj në pyetjen se a do ta respektojë partia e saj një vendim të Gjykatës Kushtetuese, nëse i njëjti nuk është në favor të tyre.

Në lidhje me këtë çështje, Haxhiu kishte thënë se nuk mund të përgjigjet me po ose jo, dhe se e njëjta është një “pyetje e vështirë”.

Shkrimi i plotë:

Qytetarët kanë plotësisht të drejtë që të zemërohen. Në njërën anë thuhet “mos ndërhyni në pavarësinë e Gjykatës”, e në anën tjetër orientimet e para të tyre qarkullojnë tek disa, përfshirë edhe në medie!
Si ka mundësi të dihet aktgjykimi e mënyra e votimit, pa u bërë publik ende nga Gjykata?!

Nëse është kështu, atëherë kjo nuk është pavarësi e Gjykatës. Vendimi i tillë është arnim i aktgjykimit për interesa të Thaçit dhe atyre që kanë humbur zgjedhjet dhe janë braktisur nga populli.

Gjykata në mandat të saj, ka vetëm interpretimin e Kushtetutës dhe jo amendamentimin e saj. Amendamente kushtetuese mund të propozojnë vetëm Qeveria, Presidenti dhe 1/4 e deputetëve por pastaj ato duhet të votohen nga Kuvendi.

Sipas Kushtetutës, nuk ka afat për mandatarin. Gjykata nuk mund të caktojë afat. Kjo do ta shkatërronte rendin kushtetues dhe demokracinë.

Kjo do ta përmbysë vullnetin e popullit!