Albion Avdijaj do të vazhdojë karrierën me Vaduzin. Ishte vetë sulmuesi i Kombëtares Shpresa të Shqipërisë ai që dha lajmin në profilin zyrtar në “Facebook”, duke publikuar fotot pas firmosjes së marrëveshjes dhe pozën me fanellën e ekipit nga Lihtenshtejni që militon në Superligën zvicerane.
“Transferimi u realizua me sukses, jam gati për sfidën e re”, shkruante futbollisti.
Sulmuesi 1 metër e 91 centimetër i gjatë kthehet në Zvicër, pas një sezoni të kaluar në Gjermani, te skuadra e dytë e Wolfsburgut. Me rezervat e “Ujqërve”, Avdijaj zhvilloi 31 ndeshje, duke shënuar 14 gola. Kuqeziu realizoi edhe tre gola në këtë start të sezonit të ri, por ekipi gjerman vendosi ta transferojë te Vaduzi.
Albion Avdijaj tashmë pret debutimin në elitën e futbollit helvet, pasi në sezonin 2013-2014 kur mbronte ngjyrat e Grasshopper nuk luajti asnjë ndeshje. Sulmuesi që në 2 ndeshje me përfaqësuesen Shpresa ka shënuar edhe një gol, bashkohet në skuadër me një tjetër lojtar të Kombëtares, mbrojtësin Naser Alijin.