Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk është certifikuar për të qenë pjesë e garës për zgjedhjet e 14 shkurtit. Rrjedhimisht, ai do të hiqet nga lista e kandidatëve të LVV-së, kanë bërë të ditur burime të Express brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kurti ishte dënuar në janar të vitit 2018 për dy vepra penale: përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, ndërsa në shtator të po atij viti Apeli ia vërtetoi dënimin e njëjtë. Me këto vepra përshkruheshin veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015, si pasojë e të cilave, liderit të LVV-së i është pamundësuar kandidimi në listë zgjedhore.
Përveç Kurtit, KQZ-ja s’i ka certifikuar edhe 46 kandidatë për deputetë edhe nga listat e partive tjera që po ashtu ishin të dënuar në tri vitet e fundit.
Qytetarët e Kosovës do të duhet të dalin në zgjedhje për herë të dytë brenda një viti e gjysmë. Kështu ka urdhëruar Gjykata Kushtetuese më 22 dhjetor përmes një aktgjykimi. Kjo gjykatë kishte gjetur parregullsi në votimin e Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, i cili e mori detyrën e kryeministrit në qershor.
Çështja ishte ngritur për shqyrtim në Kushteuese nga një grup deputetësh nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila sfidoi legjitimitetin e mandatit të Etem Arifit, deputet nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim. Arifi u dënua përfundimisht për mashtrim me 15 muaj burgim në gusht të vitit të kaluar, për t’u zgjedhur si deputet një muaj e gjysmë më vonë.
Në konstatimin e dytë të aktgjykimit të dhjetorit, Kushtetuesja tha se personat e dënuar për vepër penale me vendim gjyqësor të formës së prerë në tri vitet e fundit, nuk mund të jenë kandidatë për deputetë dhe as të fitojnë mandat në Kuvend.
“Në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në konstatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
KQZ-ja sot ua ka kthyer partive politike listat për korrigjim. Organi për organizimin e zgjedhjeve do të pres deri më 22 janar përgjigjje nga partitë për të proceduar tutje me implementimin e listave zgjedhore.