Albin Kurti refuzon dorëheqjen, Arben Gashi: Kjo është budallaki

E publikuar: 27/03/2025 22:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar sot procesin e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Pas këtij procesi, kryeministrit i Kosovës, Albin Kurti, tha se ai nuk ka ndërmend të japë dorëheqje nga pozita e kryeministrit.

Kryeministri Albin Kurti u shpreh se, edhe pse ka përfunduar procesi i certifikimit të rezultateve, ai do të vijojë të kryejë detyrat e tij si kryeministër deri në formimin e një qeverie të re.

Ky qëndrim i Kurtit është kundërshtuar nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

Ai ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e quajtur këtë veprim të Qeverisë “budallaki”.

Gashi tha se vendimi për të mos dorëhequr është një veprim që nuk ka logjikë kushtetuese dhe se është një veprim i paarsyeshëm.

“Kur nuk pranon debat e as propozime, ndodh kjo! E bënë vetë ligjin për qeverinë, u mburrën me të, nuk pranuan as komentet e as amendamentet. Tani vetë nuk duan ta zbatojnë! Në fakt, siç e kanë bërë atë ligj, më së paku është budallaki – nuk ka as logjikë kushtetuese, as institucionale që kryeministri e ministrat të japin dorëheqje”, shkroi ai.