Albin Kurti: Jam kundër antiamerikanëve dhe antieuropianëve

E publikuar: 11/03/2020 17:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Albin Kurti ka insistuar se taksa 100% ndaj mallrave serbe duhet të zëvendësohet me masat e reciprocitetit.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Kurti tha se ky është pozicioni i duhur, e jo ekstremet.

“Mbajtja e tarifës 100% siç është, pa reciprocitet, është pozicion ekstrem. Pra të thuash ‘tarifë 100% edhe s’çaj kokën për reciprocitet’ është pozicion ekstrem. Edhe heqja e plotë dhe e menjëhershme pa e vendosur dhe pa e përmendur reciprocitetin është pozicion ekstrem”.

“Duhet të jemi kundër këtyre ekstremeve. S’duhet të jemi ekstremistë por duhet të jemi normal. Ka një qëndrim normal – zëvendësimi i tarifës 100% me reciprocitet”.

Ai theksoi se përgjatë zëvendësimi gradual të taksës 100% me reciprocitet do të krijoheshin edhe masat e mirëbesimit për dialogun e ardhshëm.

Por, në anën tjetër Kurti shprehu dyshimet e tij për vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi, në rast të heqjes së taksës pa reciprocitet.

“Nuk bëhet fjalë për heqje të tarifës dhe fillim të dialogut. Bëhet fjalë për heqje të tarifës e mbyllje të dialogut me marrëveshje të gatshme. Unë jam i bindur që ka marrëveshje të gatshme në mes të dy presidentëve”.

“Edhe vetëm dhjetë për qind të ishin gjasat që ka marrëveshje të gatshme, ne duhet të jemi të kujdesshëm – e unë jam i bindur që ka marrëveshje të gatshme. Ky është problemi, ky është ‘elefanti në dhomë’”.

Ai theksoi se “dialog nuk ka moti, por negociatat sekrete s’janë ndalë asnjëherë”.

Sa i përket raporteve midis Kosovës dhe Serbisë Kurti mohoi të jetë ‘antiamerikan’.

“Më duhet t’ju them që s’jam antiamerikan. Por mund të them se presidenti është antieuropian. E keni vërejtur, pikërisht në kohën kur presidenti aktual deklarohet hapur si antieuropian, disa më akuzojnë mua për antiamerikanizëm”.

“Unë jam kundër antiamerikanëve dhe jam kundër antievropianëve, pozicioni im është transatlantik”.

Albin Kurti gjithashtu shprehu gatishmërinë për të shkuar në Washington, SHBA, në cilësinë e Kryeministrit të Kosovës.