Albin Kurti apo Shpend Ahmeti për kryeministër, a ishte kjo arsyeja për “luftën” në VV?

E publikuar: 05/01/2018 09:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dorëheqjet e shumta në Lëvizjen Vetëvendosje brenda një periudhe të shkurtër, por vazhdojnë ta fundosin këtë subjekt politik drejt ndarjes.

E përderisa largimet nuk ndalen, po dalin të vërteta tjera që tregojnë për problemet që ka kaluar Vetëvendosja gjatë periudhës së fundit.

Duket se një hov të madh në këtë përçarje ka pasur kandidatura e Albin Kurtit për kryeministër në zgjedhjet e 11 qershorit, shkruan lajmi.net

Kjo është zbuluar nga një komunikim që e ka pasur deputeti i VV-së, Fisnik Ismaili me asambleistin e po kësaj partie në Prishtinë, Egzon Azemi.

Në postimin që Ismaili e ka shkruar duke paralajmëruar dorëheqjen, Azemi ka komentuar duke i thënë Ismailit se ishte ky i fundit që kërkonte kandidimin e Shpend Ahmetit për kryeministër.

“N’mledhjen e kryesise se grupit parlamentar ne muajin maj 2017 ku e kanë sulmuar Albinin pak para se te nominohej nga Keshilli i Pergjithshem për kryeminister, ti Fis ke thene qe duhet te nominohet Shpendi e jo Albini”, ka shkruar Egzon Azemi.

 

Ky i fundit ka krahasuar numrin e votave që kishin marrë Kurti dhe Ahmeti në zgjedhjet lokale e ku dallimi ka qenë në mijëra vota.

E kundërpërgjigja e Fisnik Ismailit ka qenë e menjëhershme.

“Egzon, asht budallaki e madhe me krahasur bartësin e listës me numrin 5 në listë, i cili publikisht pat thanë që as nuk bahet deputet”, ka replikuar Ismaili.

Madje ky i fundit thotë se nëse Ahmeti do të ishte kandidat për kryeministër, VV-ja sot do të ishte në pushtet.

“Përndryshe sot e përjetë nuk ka kush që më bindë se me pas qenë Shpendi kandidat për kryeministër më 11 qershor, sot Lëvizja kisht qenë në pushtet”, ka shkruar Ismaili.

Debati mes tyre ka vazhduar edhe më tutje.

Ismaili në një mënyrë indirekte e ka akuzuar Albin Kurtin se është fajtor që Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti të dalë partia e parë në zgjedhjet nacionale.

“Egzon pyetja 1 milion dollarëshe. Nëse po thue që populli e deshti Albinin për kryeministër, pse jemi tuj u q****, me Ramushin tash e sjemi në pushtet”, ka shkruar sërish deputeti i VV-së.

Ndryshe, përçarjet në këtë parti nuk kanë të ndaluar përkundër se dje Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollqaku nuk e bënë problemin aq të madh.

Dorëheqje nga partia flitet se mund të japin edhe Dukagjin Gorani, Shpend Ahmeti dhe deputetë tjerë.

Egzon Azemi është njëri nga asambleistët e VV-së në Prishtinë. Pikërisht Ahmeti gjatë gjithë fushatës ishte fokusuar tek krijimi i shumicës në Kuvendin Komunal.

A do të ndikojnë këto probleme edhe në Prishtinë, nëse Shpend Ahmeti bashkohet me grupin e Molliqajt mbetet të shihet. /Lajmi.net/