Alban Hoxha, nga historia me Kombëtaren te ëndrra e Partizanit

E publikuar: 14/10/2015 15:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Alban Hoxha ishte pjesë e ekipi që shkruajti historinë për Shqipërinë. Euforia për kualifikimin në Europianin 2016 në Francë ende nuk ka kaluar, edhe tani që futbolli ndërkombëtar i ka lënë vendin kampionatit.

“Ishte një ëndërr e bukur për të gjithë shqiptarët. Të gjithë ata djem që luajnë në përfaqësuese kanë shkruar historinë. Ende nuk na besohet çfarë kemi arritur. Për këtë falenderoj trajnerin De Biasi dhe shokët e skuadrës”.

Nga arritja e jashtëzakonshme me Shqipërinë, te ëndrra e Partizanit për të fituar titullin e parë pas 22 vjetëve. Ashtu si për objektivin e Kombëtares në fazën e grupeve në Francë, edhe për kampionatin ka ende kohë për bilance. Gjithsesi, kapiteni i të kuqve shprehet optimist.

“Edhe për titullin është ende herët për të folur, megjithëse dihet tashmë që ky është objektivi ynë kryesor. Jemi në rrugën e duhur, rezultatet e deritanishme flasin vetë dhe shpresojmë”.

Pas pauzës për ndeshjet ndërkombëtare, Partizanin e pret sfida e radhës në Ballsh. Ekipi i Starovës nuk e njeh humbjen në 6 javët e para të Kategorisë Superiore, por Bylisi synon të shfrytëzojë faktorin fushë për të regjistruar suksesin e parë në këtë sezon.

“Jo Bylisi, por asnjë ekip nuk është i lehtë. Megjithatë, forca e Partizanit dihet dhe kudo që luajmë ne kërkojmë vetëm fitore”.