Alarmi për krizë energjetike tmerron bizneset prodhuese

E publikuar: 01/08/2017 14:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bizneset prodhuese në Kosovë, ndër vite janë ballafaquar me problemin e furnizimit me energji elektrike, gjendje kjo që vlerësohet se u ka shkaktuar humbje të mëdha.

Ndërkohë, nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë, situata paralajmërohet se do të rëndohet tutje gjatë javëve të ardhshme. Autoritetet përgjegjëse kanë paralajmëruarse Kosova ‘do të përballet me një krizë energjetike për shkak të shpenzimit të rezervave të qymyrit’.

Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës e cila përfaqëson bizneset në vend, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se situata e krijuar me energji elektrike ka alarmuar bizneset në vend.

Adresimi i problemeve nga sektori privat rreth energjetikës ka qenë ndër vite, por shumë pak janë marrë në konsideratë. Jemi dëshmitarë që edhe sot, 18 vjet pas luftës, kemi kompani prodhuese që funksionojnë vetëm me agregat (gjenerator rryme) sepse nuk i besojnë furnizimit me energji elektrike”.

Kemi kompani të cilat kanë humbje të shumta nga shkyçjet ose ndërprerjet e energjisë. Kosova edhe më tutje e paguan energjinë elektrike më shtrenjtë dhe nuk ka çmim të veçantë për bujqësi, për amvisëri dhe industri. A nuk qenkan këto paradokse që duhet t’i takojnë të kaluarës dhe jo të merremi sot?”, thekson Gërxhaliu.