I Akuzuari e Pranon se Falsifikoi Certifikatat e Cilësisë

E publikuar: 16/02/2018 08:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ylber Saliu, pronar i Operatorit Ekonomik i kompanisë “Trio Med” ka pranuar fajësinë në akuzat e prokurorisë për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Madje, Saliu së bashku me avokaten e tij Fehmije Gashi- Bytyqi kanë arritur marrëveshje me prokurorinë mbi pranimin e fajësisë.

Përmes kësaj marrëveshjeje, dënimi prej 6 muaj burgim, do t`i konvertohet të njëjtit në dënim me gjobë në shumë prej 3600 euro.

Avokatja Bytyqi së bashku me prokuroren Merrushe Llugiqi i propozuan gjykatës që kjo marrëveshje të pranohet me arsyetimin se i plotëson të gjitha kushtet ligjore, si dhe është bërë me vullnet të lirë të Saliut.

Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi- Jashanica aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë, e më pas u tërhoq nga gjykatorja për marrjen e aktvendimit, i cili do të komunikohet në javën e ardhshme.

I akuzuari Ylber Saliu, në cilësinë e pronarit të Operatorit Ekonomik kompanisë “Trio Med” me seli në Prishtinë, në aktivitetin e prokurimit me titull “Furnizimi me barna dhe material shpenzues medicinal nga lista esenciale” të Autoritetit kontraktues Ministrisë së Shëndetësisë, sipas prokurorisë, me qëllim të fitimit të këtij tenderi, me dosje ka dorëzuar edhe dokumentin zyrtar ISO certifikatën e falsifikuar me të dhëna të rreme, kinse ka afat valid deri më 19 gusht 2017.

Aktakuza më tej sqaron se pas pranimit të këtij dokumenti, komisioni i vlerësimit të Autoritetit Kontraktues të Ministrisë së Shëndetësisë me rastin e kontrollimit të dosjeve së tenderuese, më 6 shkurt të vitit 2017 gjatë vlerësimit të ofertave, ka dyshuar se certifikata e lartcekur e dorëzuar nga i akuzuari Saliu është e falsifikuar, ashtu që, pas verifikimit të këtij dokumenti në Agjensionin TUV Gjerman, nga zyrtarët e këtij agjensioni është kthyer përgjigja se ISO certifikata është jovalide dhe të njëjtës i ka skaduar afati më 19 gusht të vitit 2015. Me këtë, Salihu ngarkohet për veprën penale falsifikimi i dokumentit zyrtar.

Kallxo.com dhe Drejtësia në Kosovë edhe në të kaluarën kanë raportuar për raste të ngjashme të falsifikimeve nga kompani që kanë furnizuar spitalet tona me pajisje medicionale dhe barna./kallxo.com/