Akuzat ndaj Albin Kurtit janë serioze. Ja çfarë thonë ligjet

E publikuar: 13/10/2015 14:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria themelore është deklaruar sot se deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, mbrëmë u arrestua nën dyshimin se ka kryer veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, nga neni 365 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Përdorimi i armës, nga neni 375 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës
Në bazë të këtyre dy neneve Albin Kurti rrezikon dënim deri në 10 (dhjetë) vjet.

Neni 365 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës përcakton se “Kushdo që me anë të zjarrit, vërshimeve, armëve, eksplozivit, helmit ose gazit helmues, rrezatimit jonizues, forcës mekanike, me energji elektrike ose me ndonjë lloj energjie tjetër, ose me ndonjë veprim tjetër të rrezikshëm apo mjete të rrezikshme, shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm të konsiderueshëm pasuror, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

Pika 3 e këtij neni përcakton se nëse vepra penale nga ky paragraf kryhet në vendin ku janë të pranishëm një numër i madh i njerëzve, kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet. Ndërsa nëse vepra penale nga ky nen rezulton me lëndim të rëndë trupor, apo me dëm substancial pasuror, kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet, shkruan Gazeta Express.

Ndërsa Neni 375 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës për përdorimin e armës, për të cilën po ashtu akuzohet Kurti, precizon se “Kushdo që përdor armë apo materie plasëse në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët apo materiet plasëse të tilla, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.

Pika 2 e këtij neni përcakton se kushdo që përdor armën apo mjetin e rrezikshëm në mënyrë kërcënuese ose frikësuese, dënohet me gjobë deri në dhjetëmijë (10.000) Euro dhe me burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet.