Akuza e radhës e PDK-së: Zyrtarët e VV-së po japin leje, si këmbim po marrin banesa

E publikuar: 24/08/2017 09:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prishtinë, ditën e djeshme përmes një konference të thirrur për medie ka adresuar padrejtësitë që, sipas tyre, po u bëhen ndërtuesve në Prishtinë me qasje selektive dhe me përzgjedhje korruptive në dhënien e lejeve ndërtimore, shkruan sot, gazeta Zeri.

Komuna e Prishtinës, sipas PDK-së, gjatë gjithë këtyre viteve ka bërë politikë dhe biznes me leje ndërtimore.

Sekretari i PDK-së së Prishtinës, Bujar Cakolli, ka thënë se kanë dyshime të bazuara që shumicën e pazareve me leje ndërtimi qeverisja e “Vetëvendosjes” i bën përmes disa kompanive projektuese të afërta me krerët e Komunës së Prishtinës, të cilat ua menaxhojnë pazaret sipas metodologjisë “ua bëjnë projektet ndërtuesve, ua sigurojnë lejet e ndërtimit atyre dhe u marrin banesa, lokale apo shpërblime të tjera si kompensim për këta tjerët që u qëndrojnë pas dhe që ua lejojnë ndërtimet”.

Sipas Cakollit, në vitin 2016 kanë reaguar 104 ndërtues, duke deponuar ankesa në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si organ shqyrtimi i shkallës së dytë, ku për 103 prej atyre rasteve janë kthyer përgjigje në favor të qytetarëve apo ndërtuesve, duke u dhënë të drejtë atyre, kurse vetëm në 1 rast i ka dhënë të drejtë Komunës së Prishtinës, shkruan gazeta Zeri.

Ndërsa asamblistja e PDK-së në Prishtinë, Laura Zherka, ka thënë se në “Rrugën B” të lagjes “Bregu i Diellit” në Prishtinë administrata e Shpendit kundërligjshëm ka lëshuar leje ndërtimore në hapësirë gjelbëruese.

“Plani rregullues për zonën ‘Mati 1’ është miratuar në vitin 2011 dhe kundërligjshëm është ndryshuar dhe plotësuar më pas nga ish-administrata e Prishtinës, duke e kthyer hapësirën aty nga hapësira gjelbëruese në hapësirë ndërtimore”, tha ajo.

Si rast të dytë Zherka e ka përmendur edhe një hapësirë afër objektit të ri të Komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria”, ku u është mohuar e drejta ligjore qytetarëve, duke mos u dhënë leje, ndonëse në kushte të barabarta leje ndërtimi u ishin dhënë gjithë të tjerëve afër saj.

Asamblistja e PDK-së në Kuvendin e Prishtinës i ka krahasuar edhe dy raste në lagjen “Lakrishte”, pas Pallatit të Rinisë dhe Sportit, ku administrata e Prishtinës me qasje selektive dhe me përzgjedhje korruptive po ia mohon të drejtën një kompanie për të ndërtuar, pavarësisht faktit se në të gjitha nivelet i është dhënë e drejtë asaj kompanie.
Zherka ka thënë se kjo qeverisje e Prishtinës çdo ditë e shkel ligjin, çdo ditë nuk i përfill as planet rregulluese dhe urbanistike, por për dhënien e lejeve ndërtimore kriterin e vetëm që kanë është vetëm interesi i tyre personal dhe politik.