Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka reaguar ndaj aktgjykimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese.
Kryeministri në detyrë, Kurti ka thënë se aktgjykimi thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë.
Kurti ka ftuar të gjithë krerët e subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00.
“Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”, ka shkruar Kurti.


















