Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet D.Q., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri D.Q, në cilësinë e personit zyrtar, gjatë periudhës qershor-gusht 2025, në tri raste të ndara, dyshohet se ka pranuar në mënyrë të tërthortë përfitime në të holla nga një person i privuar nga liria, me qëllim që të vepronte në përputhje me detyrën e tij zyrtare, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme shuma të ndryshme parash.
Sipas Prokurorisë, me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë. Prokurori i Shtetit i ka propozuar Gjykatës, përveç shqiptimit të dënimit penal, edhe shqiptimin e dënimit plotësues “ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”, në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Prokuroria në Pejë.




























