Aktakuzë kundër tre deputetëve të opozitës

E publikuar: 20/02/2016 09:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje”, Ismajl Kurteshi e Fisnik Ismajli, si dhe kolegu i tyre i Nismës për Kosovën, Haxhi Shala, pritet të ulen në bankën e të akuzuarve, shkruan sot Koha Ditore.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj tyre për mbajtjen ose hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Sipas aktakuzës, të cilën e ka siguruar “Koha Ditore”, Kurteshi e Shala ngarkohet me dy vepra penale: përdorimi i mjetit të rrezikshëm dhe pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Ndërkaq, deputeti Ismajli do të gjykohet për armëmbajtje pa leje dhe pengim të personit zyrtar.

Deputetët e kanë quajtur aktakuzën të pavlerë dhe me prapavijë politike. Madje, ata kanë thënë se nuk janë njoftuar fare nga Gjykata apo Prokuroria për ngritjen e saj.