Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurve: XH.D,M.V, XH.B, F.Z dhe B.B, për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Cenimi i barazisë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike”.
Sipas aktakuzës, dy të pandehurit parë XH.D,dhe M.V, së pari kanë lidhur një marrëveshje të mirëkuptimit në kundërshtim të ligjit të prokurimit publik dhe ligjit mbi menaxhimin e financave publike, ku me atë rast ia kanë mundësuar Kompanisë “Grafo-Loni” përfitimin në mënyrë të kundërligjshme shumën prej mbi 30.000 euro.
Sipas një njoftimi, të pandehurit e lartcekur, me këtë rast ju pamundësuan bizneseve të tjera, ofertimin apo përfitimin në rastin konkret duke e favorizuar vetëm një kompani të lartcekur dhe më këtë bënë cenimin e barazisë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike ndaj kompanive të tjera.
Po sipas njoftimit, të pandehurit e tjerë, XH.B, F.Z dhe B.B, edhe pse marrëveshja e mirëkuptimit e lidhur në mes të dy të pandehurve të lartcekur, ishte e kundërligjshme, lejuan që të bëhen të gjitha pagesat kompanisë “Grafo-Loni”, nga e cila e njëjta përfitoj në mënyrë të kundërligjshme shumën mbi 30,000 eurosh.
“Andaj të pandehurit,XH.D dhe M.V, me veprimet e tyre kanë kryer veprat penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 dhe cenimi i barazisë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike nga neni 284 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës se Kosovës,ndërsa tre të pandehurit XH.B, F.Z dhe B.B, kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit penal të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në njoftim.
Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat e kryera penale dhe të dënohen sipas ligjit.