Aksioni i Policisë së Kosovës, mbyllen institucionet paralele serbe në dhjetë komuna

E publikuar: 15/01/2025 09:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës ka nisur një aksion të gjerë mëngjesin e sotëm.

Aksioni kishte cak mbylljen e strukturave paralele në dhjetëra lokacione.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka konfirmuar se në aksionin e sotëm janë mbyllur komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj, si dhe posta e zyre tatimore ilegale.

Sveçla ka thënë se nuk do të lejohet asnjë paralelizëm e aq më tepër kriminal të Serbisë që të cënojë Kushtetutën e ligjshmërinë e shtetit.

“Me aksion të përbashkët mes MPB e PK si dhe MINT e MAPL, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës.
Sot janë mbyllur Komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale.
Siç edhe jemi zotuar, nuk lejojmë asnjë paralelizëm e aq më tepër kriminal të Serbisë që të cënojë Kushtetutën e ligjshmërinë në vendin zonë”, ka shkruar Sveçla.

Kujtojmë se javën e kaluar, Policia e Kosovës mbylli Administratën Tatimore në Mitrovicën e Veriut, e cila funksiononte në kuadër të sistemit të Serbisë, për shkak të “aktiviteteve të paligjshme”, si dhe kompaninë e sigurimeve nga Serbia – Dunav Osiguranje, për shkak të dyshimeve se punonte pa licencë.