Aksioni antidrogë i policisë e AKI-së në Gjilan, shkatërrohet një plantacion i kamufluar me bimë narkotike

E publikuar: 23/08/2025 21:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aksioni i madh antidrogë i Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës (AKI) ka përfunduar me kapjen dhe shkatërrimin e një sasie të konsiderueshme të bimëve narkotike në rajonin e Gjilanit.

Në një zonë malore në Zhegovc të Gjilanit është gjetur një plantacion i kamufluar ku janë gjetur dhe shkatërruar rreth pesëqind fije kanabis sativa.

Gjatë këtij aksioni të madh janë kapur edhe tre persona, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur, raporton KosovaPress.

“Drejtoria për Hetimin e trafikimit me narkotik (DHTN) në Gjilan në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas hetimeve dhe punëve operative në terren, ka arritur të lokalizojë dhe arrestojë tre persona, të dyshuar për kultivimin e narkotikëve në Zhegovc. Në këtë fshat, në një zonë malore ku nuk frekuentim të madh të njerëzve është zbuluar një plantacioni i kamufluar, në të cilin janë gjetur, sekuestruar dhe shkatërruar rreth 500 fije kanabis sativa me madhësi rreth dy metra”, ka thënë rreshteri policor, Fadil Hoti.

Në këtë operacion rol kyç ka luajtur AKI-ja në identifikimin e personave të arrestuar dhe identifikimin e lokacioneve.