Bujar Shabani, drejtor i kompanisë “Bageri”, njëkohësisht edhe aksionar në “Prishtina Mall” gjatë ditës se sotme ka dalë para Gjykatës. Ai është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzës se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Këtë deklarim i pandehuri Shabani e bëri të mërkurën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në seancën fillestare pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Sebahate Sinani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas deklarimit të akuzuarit rreth fajësisë për veprën penale që iu vihen në barrë, gjykatësi Sahit Krasniqi e njoftoi të njëjtin se ka të drejtë që brenda afatit 30 ditor të paraqesë kërkesë për hudhje të aktakuzës si dhe kundërshtim ndaj provave.
Dallaveret me tenderin mbi 700 mijë euro e çojnë në Prokurori pronarin e Bagerit dhe aksionarin e Prishtina Mall
Sipas aktakuzës së ngritur më 26 prill 2022 nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, në muajin mars të vitit 2019, i pandehuri si pronar i Operatorit Ekonomik NPSH ‘Bageri’, me seli në Ferizaj, me vetëdije kishte shkelë rregullat e prokurimit publik gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokument të rremë, në atë mënyrë që me rastin e ofertimit në projektin ‘Zgjerimi i rrugës në fshatin Bibaj, kyçja në autostradë Arbër Xhaferi’, me numër të prokurimit 656-19-3136-511 dhe ofertimin në projektin ‘Asfaltimi i rrugëve në fshatin Jezerc’, me numër të prokurimit 656-19-3386-511, kishte ofruar të dhëna të rreme, përkatësisht kishte falsifikuar kontratat e punës të lidhura me të dëmtuarit Arben Vranovci dhe Violeta Aliu, duke ndërruar përmbajtjen e kontratave të punës.
Tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri Shabani e po ashtu pa lejen dhe dijeninë e të lartcekurve kishte përdorur diplomat e kualifikimit universitar, CV-të, referencat si dhe licencën për kryerjen e matjeve kadastrale në emër të Violeta Aliut, me qëllim të mashtrimit dhe ndikimit në vendimin e një autoriteti kontraktues në procedurën e prokurimit publik, me ç’rast i njëjti është përzgjedhur si tenderues i suksesshëm duke përfituar projektin trevjeçar ‘Asfaltimi i rrugëve në fshatin Jezerc.
Aktakuza për mashtrim me tenderë
Prokuroria vitin e kaluar kishte ngritur aktakuzë kundër biznesmenit Bujar Berisha për mashtrime në tenderët publikë.
Në aktakuzë janë përfshirë dy tenderë publikë në të cilat mori pjesë biznesmeni Shabani me kompaninë e tij Bageri.
Bëhet fjalë për tenderin 4.7 milionësh të Komunës së Ferizajt për asfaltimit të rrugëve në fshatin Jezerc, por Bageri dyshohet se ka mashtruar edhe kur ka konkurruar në tenderin tjetër: Zgjerimi i rrugës së fshatit Bibaj, kyçja në autostradë Arbër Xhaferi.
Ky tender peshonte 3 milionë e 798 mijë e 623 euro.
Milioneri Shabani dyshohet se ka përfituar afro 5 milionë euro nëpërmjet këtyre mashtrimeve me kontratat publike, shkruan Gazeta Insajderi.