Policia e Kosovës tha se ka gjetur armë, municion, granata dore e mjete të tjera ilegale në tri raste në veri të vendit.
Ky aksion u bazua në informacionet e siguruara nga ana e qytetarëve.
Si rezultat i kontrolleve të realizuara, janë sekuestruar sasi të konsiderueshme armatimi dhe pajisjesh të ndryshme.
Rasti I – Jagnjenic, Zubin Potok
Rreth orës 01:20, njësitë policore kanë kontrolluar një shtëpi të pabanuar në fshatin Jagnjenic të Zubin Potokut. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar:
95 fishekë të kalibrave të ndryshëm;
1 emblemë dhe disa spaleta të Policisë së Serbisë.
Rasti II – Zhitkovc, Zveçan
Rreth orës 09:20, gjatë kontrollit në një hambar të një shtëpie të braktisur në fshatin Zhitkovc, Komuna e Zveçanit, policia ka gjetur dhe sekuestruar:
1 armë automatike AK-47;
1 granatë dore M-57 (prodhim jugosllav);
3 karikatorë të zbrazët të AK-47;
85 fishekë të kalibrit 7.9 mm;
60 fishekë për AK-47;
2 uniforma ushtarake me emblema të Serbisë.
Rasti III – Varagë, Zubin Potok
Rreth orës 12:20, njësitë policore kanë kontrolluar një tjetër shtëpi të pabanuar në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ku janë gjetur dhe sekuestruar:
1 granatë dore;
50 fishekë të kalibrit 7.62 mm.
Në rastin e dytë dhe të tretë, në vendin e ngjarjes kanë intervenuar edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive (EOD), të cilat kanë bërë tërheqjen e granatave në mënyrë të kontrolluar dhe të sigurt.
Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rasteve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Lidhur me këto raste, deri më tani nuk është arrestuar asnjë person.



















