Tragjedia e mbrëmshme te lumi Vardar, afër Shkupit ka tronditur vendin. Trupat e tri grave janë nxjerrë pa shenja jete nga lumi, pasi u aksidentuan dhe vetura e tyre doli nga rruga.
Në veturë ka qenë edhe një person tjetër, familjar i viktimave – teksa fëmija që ndodhej po ashtu në veturë shpëtoi.
Siç raportuan mediat në Maqedoni të Veriut, në veturë ka qenë një familje me pesë persona, tre prej të cilëve ishin gra dhe u gjetën të vdekura në veturë.
Në veturë mësohet se ka qenë edhe një fëmijë, që gjatë rrokullisjes ka dalë nga vetura dhe është gjetur më pas nga disa kalimtarë që e kanë dërguar në spital.
Kërkimet për personin e pestë janë duke vazhduar ende. Sipas raportimeve, viktimat e këtij aksidenti janë shqiptarë.
Bazuar në informacionet e pakonfirmuara, në veturë ishin kryefamiljari me gruan, vajzën, nusen e djalit dhe nipin që kishin ardhur për pushime nga Italia.
Drejtori i Klinikës Kirurgjike për Fëmijë, Llazo Jovçeski thotë se fëmija 4 vjeç që u shpëtua nga aksidenti në rrugën Rashçe-Saraj është në gjendje të mirë shëndetësore.
Ai thotë se për shkak të mënyrës së aksidentit, fëmija po mbahet ende në spital për vëzhgim të mëtutjeshëm.
“Gjendja shëndetësore e pacientit që po trajtohet në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve është stabile, janë bërë vlerësimet fillestare, parametra të caktuara biokimike dhe tomografi kompjuterike, që janë në rregull.
Por për shkak të mënyrës se si ka ndodhur lëndimi, respektivisht për shkak të anamnezës, fëmija po mbahet për observim”, tha mjeku Lazo Jovçeski në një deklaratë për “Sitel”.