Të enjten Maqedonia e Veriut u trondit nga aksidenti tragjik afër Shkupit, ku një veturë në të cilën ndodheshin pesë persona, doli nga rruga dhe ra në lumin Vardar. Katër persona humbën jetën si pasojë e këtij aksidenti, ndërsa shpëtoi mrekullisht fëmija rreth moshës 5-vjeçare
Viktimat që u aksidentuan tragjikisht janë nga familja Arsllani, nga fshati Gërçeci i Komunës së Sarajit në Maqedoni të Veriut.
Tri gra të familjës Arsllani, u nxorrën të vdekura nga vetura e aksidentuar, mbrëmjen e 2 janarit, ndërsa 5-vjeçari gjatë rrokullisjes së veturës ka dalë nga vetura dhe atë e kanë gjetur disa kalimtarë të rastit.
Mjekët kanë bërë të ditur se gjendja shëndetësore e fëmijës është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
E gjatë ditës së djeshme, me orë të tëra vazhduan kërkimet për kryefamiljarin i cili ndodhej po ashtu në vëturën e aksidentuar. Trupi i pa jetë i tij u gjet të premten rreth orës 15:00.
Ndërkaq, nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup kanë bërë të ditur se kanë filluar hetimet në Rashçe, për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Në njoftim po ashtu thuhet se do të lëshohet urdhër për ekspertizën e makinës.
“Pavarësisht kushteve jashtëzakonisht të vështira në terrene të paarritshme, janë ndërmarrë të gjitha veprimet për sigurimin e gjurmëve dhe provave me qëllim përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.
Sipas informacioneve fillestare, automjeti drejtohej nga njëri prej të ndjerëve. Gjithashtu do të lëshohet urdhër për ekspertizën e makinës. Sipas udhëzimeve të prokurorit publik janë intervistuar dëshmitarët okularë të ngjarjes, si dhe familjarët e familjes në automjet për zbardhjen e të gjitha rrethanave”, thuhet në kumtesë e Prokurorisë Themelore.
Mediat në Maqedoni të Veriut raportuan se në veturë ishin kryefamiljari me gruan, vajzën, nusen e djalit dhe nipin. Sipas tyre, nusja dhe nipi kishin ardhur për pushime nga Italia.
Viktimat pritet të varrosen sot, në fshatin Gërçec, ndërsa i mituri i vetëm i mbijetuar nga tragjedia raportohet se është kthyer në shtëpi, pranë familjarëve të tjerë.