Aksident trafiku me fatalitet në Zhabar të Mitrovicës

E publikuar: 08/01/2016 12:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një aksident trafiku me fatalitet është raportuar në orët e mbrëmjes së djeshme rreth orës 20:45 të datës 7 janar 2016. Aksidenti ka ndodhur në rrugën magjistrale Mitrovicë-Zubin Potok, përkatësisht në fshatin Zhabar të Mitrovicës, me ç’rast një veturë godet një fëmijë të moshës tre vjeçare, ku si pasojë e lëndimeve të pësuara nga goditja e veturës këmbësori ka mbetur pa shenja jete në vendngjarje.

Nga hetimet e para të bëra në vendngjarje me prezencë të prokurorit nga hetuesit e njësisë së komunikacionit rajonal, si shkaktar dyshohet të ketë qenë pakujdesia e drejtuesit të automjetit. Sipas rrethanave të vendit të ngjarjes në kohën e aksidentit viktima fëmija ishte duke kaluar rrugën.

Trupi i pajetë i viktimës, me autorizim të prokurorit, është dërguar për obduksion mjeko-ligjor.

Ndaj të dyshuarit B. M. 33 vjeçar është caktuar masa e ndalimit policor.