Një aksident trafiku ka ndodhur në mëngjesin e sotëm në rrugën Siena-Bettolle në zonën Casetta, afërsi të komunës Castelnuovo Berardenga.
Një makinë në bordin e të cilës udhëtonin 3 shtetas kosovarë ka dalë nga rruga duke u aksidentuar rëndë. Dy prej shtetasve kosovarë që udhëtonin me të, të moshës 21 e 22 vjeç kanë mbetur viktimë, ndërsa kosovari i tretë është i plagosur e në rrezik për jetën, përcjell televizioni publik.
Makina është përplasur me ndarësen e rrugës duke e kapërcyer atë dhe është rrokullisur me një shpejtësi mjaft të lartë për dhjetëra metra.
Ngjarja ka ndodhur në mëngjesin e sotëm teksa tre të rinjtë ishin duke shkuar në punë.
Policia italiane ka hapur një proces hetimor për të kuptuar shkaqet e këtij aksidenti. Supozohet se dalja e makinës nga rruga është shkaktuar nga dalja papritmas e një kafshe që i ka zënë rrugën ose nga lodhja e gjumi që mund të ketë goditur drejtuesin e automjetit.