Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur mbrëmjen e sotme në rrugën Komoran–Carralevë.
Lajmin e ka konfirmuar për media zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila bëri të ditur se rreth orës 19:30 është pranuar informata për një aksident trafiku me pasoja fatale, në të cilin kanë qenë të përfshira dy automjete.
Si pasojë e aksidentit, janë lënduar gjithsej pesë persona, njëri prej të cilëve nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra. Vdekja e viktimës, mashkull, është konstatuar nga ekipi mjekësor në Shtëpinë e Shëndetit në Komoran.
Ndërkohë, personat e tjerë të lënduar janë dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Me rastin po merret njësiti rajonal i trafikut, ndërsa hetimet për shkaqet e aksidentit janë në vazhdim.

















