Një shtatëvjeçar ka humbur jetën dhe tre të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti sot në rrugën Memaliaj-Mallakastër.
Në njërën prej automjeteve ndodheshin dy ukrainas, teksa policia e shtetit ndodhet në vendin e ngjarjes për të zbuluar shkaqet e aksidentit.
“Rreth orës 14:30, në aksin rrugor Tepelenë-Krahës, në vendin e quajtur Kthesa e Luftinjës, automjeti me drejtues shtetasin B. D., banues në Kalivaç, është përplasur me automjetin që drejtohej nga shtetasi ukrainas V. T., 38-vjeç.
Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën rrugës për në spital një i mitur rreth 7-vjeç, djali i çiftit B. D. dhe S. D., të cilët janë dëmtuar lehtë.
Gjithashtu, kanë pësuar dëmtime të lehta shtetasi V. T. dhe pasagjeri që ndodhej në automjetin me të. Të dy po marrin ndihmë mjekësore në spital, njofton policia e shtetit, transmeton TopChannel, përcjell KosovaPress.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.


















