Teknologjia kryesore e ofrimit të aksesit në internet broadband në Shqipëri është ajo DSL ndjekur nga FTTH/FTTB (Fiber-to-Home/Building).
Sipas raportit vjetor të AKEP për 2018-ën shumica e lidhjeve DSL janë rrjete të cila kombinojnë fibrën optike me telat prej bakri e cila, një infrastrukturë e cila njihet edhe si FTTN/FTTC (Fiber-to-Node/Cabinet).
Gjatë 2018-ës DSL – FTTN/FTTB përbënin 46% të lidhjeve, një rënie e lehtë krahasuar me 2017-ën ku kishte 51%.
Teknologjia e dytë më e përdorur e cila ka shënuar rritje të madhe në dy vitet e fundit është ajo e fibrës optike në shtëpi. Në 2018-ën numri i lidhjeve FTTH ishte 24% e totalit, një rritje me 8% krahasuar me 2017.
Operatorë kryesisht lokalë janë ata që më së shumti ofrojnë lidhje me FTTH dhe paketa nga 10 deri në 50, 100 apo edhe 1Gbps në disa prej tyre.
Teknologjia e tretë më e përdorur për është ajo kabllore e njohur edhe si HFC (Hybrid Fiber-Coax) e cila kombinon kabllin koaksial të TV me fibrën optike. Ato përbëjnë 18% të lidhjeve dhe operatori me kontributin më të madh në këtë teknologji është ABCom.
Pajtimtarët me lidhje NGA, ku përfshihen jo vetëm lidhje FTTx por edhe HFC përbëjnë 83% të lidhjeve. Ende në Shqipëri operojnë 9% lidhje vetëm mbi linja bakri DSL.
Shpejtësia e aksesit së internetit broadband
Shqipëria është një ndër vendet me shpejtësinë më të ulët mesatare të internetit fiks dhe raporti i AKEP e provon këtë. Shpejtësia më e përdorur është ajo mes 4-10Mbps e cila përbën 62% të lidhjeve.
Shpejtësia e dytë më e përdorur është ajo 10-30Mbps ndjekur nga segmenti 2-4Mbps. Ndërsa pajtimtarët me shpejtësi mes 30-100Mbps dhe 100-1Gbps zënë një hapësirë thuajse të papërfillshme.
Sipas të dhënave të fundit të Ookla Shqipëria renditet në vendin e 75 në botë për nga shpejtësia e internetit me një mesatare prej 27.4Mbps në shkarkim dhe 11.7Mpbs në ngarkim.
Në 2018-ën 89 mijë pajtimtarë ishin në planet 10-30Mbps, një rritje e konsiderueshme krahasuar me 2017-ën kur ishin vetëm 57 mijë pajtimtarë. /PCWorld Albanian