AKR-ja e ka ndërmend të abstenojë për Specialen – edhe në Qeveri edhe në Kuvend

E publikuar: 22/12/2017 23:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës u fol që të dërgohet në Qeveri për mendim, propozimi për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale, propozim që në kryesi erdhi pas nënshkrimit të 43 deputetëve të mazhorancës.

Por, përkundër opozitës që s’e ka përkrahur këtë nismë – për arsye të ndryshme – ky propozim s’ka gjetur përkrahje të plotë as brenda Qeverisë së Kosovës.

Burime të Klan Kosovës brenda Aleancës Kosova e Re bëjnë të ditur se kjo parti që është pjesë e koalicionit qeverisës e ka ndërmend të mos votojë pro këtij ndryshimi të ligjit për Specialen, as në Qeveri as në Kuvendin e Kosovës.

Ministrat e AKR-së pritet të abstenojnë dhe njëjtë do të bëjnë edhe deputetët e AKR-së nëse propozimi për ndryshimin e ligjit për Specialen shkon në Kuvend.

Se ndryshimi i ligjit është i gabuar e ka thënë edhe nënkryetari i AKR-së, Agim Bahtiri.

Ai ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se “ju bëj apel gjithë deputetëve që të distancohen nga kjo iniciativë, e cila mund të na kthejë njëzetë vite prapa”.