Disa orë më parë u raportua se Xhudisti Akil Gjakova e ka fituar betejën me Prokurorinë, por e vërteta është se Gjykata e Apelit ka vendosur vetëm ta refuzojë kërkesën për paraburgim. Derisa procedura ndaj Gjakovës vazhdon tutje.
Gazeta Insajderi ka siguruar vendimin e Apelit në të cilin nuk paragjykohet se cili do të jetë epilgu, por Gjykata e Apelit vetëm i ka dhënë përgjigjje kërkesës së Prokurorisë, sa i përket masës së paraburgimit.
“Refuzohet si e pa bazuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Pejë”, thuhet ndër të tjera në vendim.
Akil Gjakova ishte arrestuar para tetë ditësh në pikëkalim kufitar në Morinë, teksa u dërgua në ndalim policor për 48-orë nën dyshimin për dhunë në familje.
Prokuroria Themelore e Pejës kërkoi caktimin e masës së paraburgimit të Gjakovës. Në kërkesë, mes tjerash, e cilësoi Gjakovën recidivist.
“Akil Gjakova është recidivist, dhe se ai e ka gënjyer Policinë dhe se ai mund të arratiset”, u tha në kërkesën e Prokurorisë.
Gjykata e Pejës ka miratuar kërkesën e bashkëshortes së tij për urdhër mbrojtës kundër Gjakovës.
“Lëshohet urdhër për mbrojtje emergjente, kundër palës përgjegjëse Akil Gjakova, afrimi i palës së mbrojtur, Suela Mominovic-Gjakova, në distancë 50 metra në shtëpinë ku është duke qëndruar tani pala e mbrojtur, në rrugë, qytet dhe vendin e punës. I NDALOHET në të ardhmen të ushtroj dhunë fizike dhe psikike, të bllokoj lëvizjes e viktimës, të ofendoj, shqetësoj dhe kërcënoj palën e mbrojtur”, thuhet në vendimin e siguruar nga Insajderi.
Poashtu, Gjykata ka vendosur edhe për kujdestarinë e fëmijës së çiftit.
“Fëmija i mitur i besohet përkohësisht palës së mbrojtur, përkatësisht të ëmës së tij, në përkujdesje, rritje dhe edukim”, thuhet tutje.
Përveç kujdestarisë së fëmijës 3 vjeçar, Gjykata ka vendosur edhe për kohën, ditën dhe vendin kur Gjakova mund të takojë të birin.
“Caktohet kontakti i palës përgjegjëse, Akil Gjakova nga Peja, më fëmiun e mitur, dhe atë dy herë në muaj. Të premten e dytë dhe të premten e katërt. Kontakti i caktuar do të realizohet pran Qendrës për Punë Sociale në Pejë, në prezencën dhe mbikqyrjen e punëtorit social“, thuhet në vendim.