AKEP publikon strategjinë e 2018-ës, premton portimin e numrave brenda 24 orësh

E publikuar: 22/01/2018 03:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike publikoi të Hënen strategjinë dhe planin e veprimit të AKEP për vitin 2018.

Këshilli Drejtues i AKEP me Vendimin nr.29, datë 29.12.2017 miratoi dokumentin “Strategjia dhe Plani i Veprimit të AKEP për Vitin 2018”. Ky dokument përmban fushat kryesore dhe prioritetet strategjike ku do fokusohet puna e AKEP gjatë vitit 2018.

AKEP do të punojë që gjatë vitit 2018 të ketë progres në katër fusha kryesore nëpërmjet prioriteteve strategjike të identifikuara për secilën fushë dhe masat specifike për realizimin e tyre, pra Planin e Veprimit të AKEP për vitin 2018.

Katër prioritetet e institucionit të më lartë me fuqi rregulluese të sektorit të komunikimeve elektronike për 2018-ën janë: Kushte të favorshme për investitorët; Nxitje të konkurrencës së ndershme; Përfitime për konsumatorët; dhe rritja e efikasitetit të brendshëm.

Çfarë do të përfitojnë konsumatorët?

Brenda 2018-ës AKEP premton portimin e numrave brenda 24 orësh.

Gjithashtu implementimi i tarifave zero roaming me vendet e fqinje dhe ulje të ndjeshme të tarifave roaming me vendet e BE-së është një prioritet kryesor.

Një tjetër premtim nga AKEP vjen në fushën e internetit fiks. Objektivi kryesor është mbulimi me 30Mbps të 100% të popullsisë dhe 50Mbps për 50% të popullsisë.

Mbulimi me shërbim celular i zona me dendësi të ulët dhe rritja e cilësisë është tjetër objektiv për institucionin në krye të të cilit tashmë vjen Ilir Zela.

Publikimi kësaj strategjie mjaft ambicioze vjen pak ditë pasi operatori i katërt celular në treg Plus u tërhoq përfundimisht në pamundësi për të konkurruar “ndershmërisht” siç edhe operativ shprehej kohë përpara largimit.

Plus Communication ndaloi shërbimin për të gjithë qytetarët më 1 Janar 2018 duke kaluar frekuenca në pronësi të Vodafone dhe Telekom Albania.

Shërbimet fikse gjithashtu janë në vështirësi. Tregu i cili dominohet nga ALBtelecom, ka një shpejtësi mesatare prej vetëm 12.99Mbps në shkarkim një prej më të ulëtave në botë dhe renditur në vendin e 96-të sipas Ookla.

Së fundit portimi i numrave mes operatorëve është shndërruar në një makth të vërtetë.

Qytetarët janë ankuar për vonesa që shkojnë deri në 1 muaj me justifikimin se të dhënat e tyre në operatorin ekzistues nuk përputheshin me të dhënat e dërguara për bartje tek operatori i bartjes.

Vetë AKEP ka nisur një këshillim publik që pritet ti japë fund kësaj praktike mes operatorëve. /PCWorld Albanian