Një draft me ndryshime në ligjin “Për mediat audiovizive në republikën e Shqipërisë” i nxjerrë për konsultim ka në fokus përfshirjen e portaleve në kuadrin ligjor dhe rregullimin e mënyrës sesi funksionojnë këto të fundit. Duke përfshirë në ligj termin OSHPM, që do të thotë Ofruesi i shërbimit të publikimeve elektronike përcaktohet qartë se kush do të futet në kategori.
“Ofruesi i shërbimit të publikimeve elektronike ”është personi fizik ose juridik, i regjistruar në regjistrin e ofruesve të publikimeve elektronike, që ofron shërbime të publikimit elektronik” thuhet në draftligj.
Sakaq i njëjti ngre një mekanizëm të plotë mbi mënyrën sesi do të funksinojnë ankesat e palëve të treta të prekura drejtpërdrejt nga një pasqyrim informacioni në këto publikime elektronike. Palës së tretë i lind e drejta të ankohet fillimisht pranë operatorit dhe të marrë përgjigje brenda 24 orësh. Nëse kjo nuk ndodh është Këshilli i Ankesave pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive që do të japë zgjidhje.
Në një nen specifik AMA ka përcaktuar edhe rastet e pezullimit të aktivitetit për ata ofrues të shërbimit të publikimeve elektronike ku duket se do të ketë një bashkëpunim të ngushtë me Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
“Për shkelje të kryera nga ofruesit e shërbimeve të publikimeve elektronike, AMA kërkon nga Autoriteti i Komunikimit Elektronik dhe Postar (AKEP) marrjen e këtyre masave plotësuese: a) Pezullim/bllokim të aksesit ne internet, për një afat 24 orë, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer 3 (tre) kundërvajtje administrative të parashikuara nga ky ligj.
Pezullim/bllokim të aksesit në internet për një afat 7 (shtatë)-ditor, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer jo më pak se katër kundërvajtje administrative dhe pezullim/bllokim të aksesit në internet për një afat njëvjeçar, nëse brënda një viti kalendarik ka kryer jo më pak se 5 (pesë) kundërvajtje administrative të parashikuara nga ky ligj” thuhet në draft. Në këtë rast AMA i referohet atyre ofruesve që janë të regjistruar në AKEP shkruan Monitor.
Në rastet kur portalet nuk respektojnë parimet që sanksionon neni 33 pika 1 e ligjit që lidhen me vërtetësinë paanëshmërinë objektivitetin, moscënimi it ë drejtave dhe dinjitetit dhe një seri kushtesh të tjera AMA vendos për gjoba nga 100 mijë lekë deri në 1 milionë lekë.
Kur nga portalet nuk është respektuar kërkesa në nenin 53 pika 1 që sanksionon se çdo person, dinjiteti dhe reputacioni i të cilit janë prekur nga publikimi i fakteve dhe informacioneve jo të sakta në një transmetim, ka të drejtën e përgjigjes, apo vendimi i Këshillit të Ankesave gjoba që aplikohet është 800 mijë lekë.