Dramaturgu serb me nam dhe akademiku Sinisha Kovaçeviq në një deklaratë që i referohet polemikave të fundit rreth Kosovës tha se nuk do të dëshironte të ishte në pozitën e Aleksandar Vuçiqit dhe shtoi se “çdo bisedë e keqe është më e mirë se një luftë e mirë dhe këtë duhet ta ketë në mendje Qeveria jonë”, transmeton Koha.net intervistën e tij dhënë gazetës “Blic” të Beogradit.
“Serbia nuk guxon asnjëherë më të bëjë luftë, sepse mund të ndodhë që ajo të jetë lufta e fundit për të. Dhe atëherë do t’i ktheheshim tregimit për zhdukjen e pëlhurës së zezë nëpër shitore”, i tha ky kësaj gazete.
Duke komentuar deklaratën e kryetarit të ASSHA (SANU), Vlladimir Kostiqit, se Kosova “de facto e de jure” nuk është në duart tona dhe se këtë dikush duhet ta thotë, ai vlerësoi se kjo është edhe frikë se i ka ardhur fundi këtij tregimi, e nisur me ndalimin e kthimit të 100 mijë serbëve në Kosovë më 1945, që ndryshoi tablonë demografike.
Kovaçeviq rikujtoi se ka shumë rëndësi të dihet diçka që Kostiq “për arsye të modestisë së tij” nuk e tha, ndërsa opinioni i gjerë nuk e di se ai gjatë luftës ka qenë në Kosovë (ka qenë komandant i njësive speciale për dy muaj, siç deklaroi vetë në RTS, ndërsa dy djemtë i kishte nën uniformë – plotësim ynë), që do të thotë se nëse dikush ka të drejtë të flasë për Kosovën dhe për luftën, është ai”.
Ai ka rrëfyer edhe tregim për një ngjarje të vet të paradokohshme, kur udhëtoi me veturë me regjistrim të Beogradit “kryq e tërthore” nëpër Kosovë dhe nuk ka përjetuar asnjë moment të pakëndshëm, gjë që tregon se ishte “trajtuar si cilido i huaj”.
“Kam vozitur nëpër autostradën që të çon nga Prishtina në Tiranë. Autostradë e mirë, autostradë e një shteti. Pikë”, tha Kovaçeviq.




















