Aida Dërguti refuzon të lirojë pozitën e nënkryetares, VV kërkon shkarkim

E publikuar: 19/04/2018 10:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës në emër të Vetëvendosjes, aktualisht deputete e Grupit të Pavarur, Aida Dërguti nuk e ka në mendje që të japë dorëheqje nga pozita e nënkryetares së Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Dërguti, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në Vetëvendosje më 11 dhjetor të vitit të kaluar, derisa pozitën e nënkryetares në emër të këtij subjekti vazhdon ta mbajë ende, shkruan arbresh.info.

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca në një prononcim për arbresh.info ka bërë të ditur që kanë dërguar një shkresë në Kuvendin e Kosovës ku edhe kanë kërkuar shkarkimin e saj, por se ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.
“Ne ia kemi dërguar një shkresë Kuvendit të Republikës së Kosovës që Aida Dërguti të shkarkohet nga pozita e saj në mënyrë që Lëvizja Vetëvendosje ta dërgojë nënkryetarin i cili i takon sipas nenit 67 të Kushtetues së Kosovës, sepse aty thuhet që tri subjekteve më të mëdha parlamentare u takon nga një nënkryetar në Kryesinë e Kuvendit . Kjo i bie që nënkryetar do të kenë PDK, LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje edhe dy janë prej pakicave”, ka thënë Konjufca.

Konjufca, ka thënë se ka biseduar edhe me shefin e grupit parlamentar të deputetëve të pavarur, Dardan Sejdiun, por se përgjigja e tij ka qenë që Aida Dërguti nuk do ta lirojë këtë pozitë.

“Unë kam biseduar, kam pasur edhe takim me shefin e GP të Grupit të Deputetëve të Pavarur dhe ata ma kanë deklaruar që nuk do ta tërheqin Aida Dërgutin nga pozita e nënkryetares. Unë nuk besoj që Aida Dërguti do ta liroj këtë pozitë me vullnet sepse së paku kështu ma kanë konfirmuar në takimet e mia me ta që nuk ka vullnet që ata ta lirojnë këtë pozitë e cila për mendimin tim, faktikisht mund të kualifikohet si e uzurpuar”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, veprimi të cilin është duke e bërë Aida Dërguti është i paprecedent në historinë parlamentare të Republikës së Kosovës.

Në nenin 67 të Kushtetues së Kosovës, pika 3 thuhet se tre nënkryetarët të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit./Express/