Aida Dërguti: Mbajtja e seancës ditën e nesërme është provokim

E publikuar: 16/02/2016 10:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mbajtja e seancës solemne për tetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, do të mbahet pa prezencën e deputetëve të opozitës kosovare.
Shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci dhe shefi i Grupit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e pozitës në seancën e nesërme.

Ata këto komente i kanë bërë sot pas mbajtjes së mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.

Në anën tjetër, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Aida Dërguti, ka theksuar se mbajtja e seancës së nesërme e ka cilësuar si provokim, përderisa nuk është arritur marrëveshje politike në mes pozitës dhe opozitës.

Ndërkaq, shefja e Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj – Bujupi, ka theksuar se me datën 17 do të jenë në shesh së bashku me qytetarët e Kosovës për të protestuar kundër Asociacionit, Demarkacionit me Malin e Zi, korrupsionit dhe brengave tjera të qytetarëve të Kosovës.