Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka deklaruar me siguri të lartë se Kosova do ta pranojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Ahmeti ka thënë se nuk ka rrugëdalje për të shpëtuar pa pasoja, në rast të mos-themelimit të Asociacionit.
“S’ka dyshim që Kosova do ta pranojë Asociacionin. Nuk e sheh si do të dalë nga kjo situatë pa pasoja për veten dhe të tjerët. Unë mendoj që kjo Kosovë si e njoh unë, ka me pranu Asociacionin”, ka thënë Ahmeti në DPT te Fidani.
“Kur po them Kosova, po mendoj qeveria”, ka shtuar ai.
Ahmeti ka thënë se në këtë situatë, “Kosova duhet të shpëtojë çfarë të mundet”.
Ai ka deklaruar se nëse qeveria ka dashur përnjëmend ta parandalojë impelementimin e Asociacionit, është dashur ta dërgojë në Kuvend për ta rrëzuar.
“Në qoftë se do me prishë Asociacionin përnjëmend, është dashtë me dërgu në Kuvend ku është ratifiku me 2/3 e votave në Kuvend”, ka theksuar ai.
Ahmeti ka sugjeruar që qeveria të merret me anët e favorshme të propozimti franko-gjerman, në vend se ta humbë kohën duke e kundërshtuar Asociacionin.
“Të thuash jo jo jo për Asociacionin, e në anë tjetër të humbin edhe nja paragrafë të tjerë që mund t’i diskutosh. Ajo marrëveshje është njëfarë defakto njohje nga ana e Serbisë. Në këtë situatë kisha këyqre me përmirësu atë draft”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka thënë se Kurti merret gjatë gjithë kohës me çështjen Kosovë-Serbi. Po ashtu ai ka kritikuar përkrahësit e tij që e mbështesin edhe kur gabon.
“Nëqoftëse ka diçka që Kurti merret 24 orë me diçka, është cështja me Serbinë. Mundohen me qitë Albin Kurtin si të pagabueshëm. Kurrë kërkush nuk del me thënë më fal se këtu kemi bërë një gabim, askush nuk është i pagabueshëm. Tentojnë me paraqitë Kurtin si hyjnor që nuk gabon”, ka thënë ai.