Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me rastin e bllokimit të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, veç propozimit për ndërprerje të dialogut me Serbinë, ka thënë se duhet të bojkotohen edhe produktet e shtetit fqinj.
Ai ka thënë se në botë, presioni ekonomik funksionon më së miri.
“Prandaj përveç ndërprerjes së dialogut duhet ndalur mallrat e Serbisë deri në ndryshimin e qasjes ndaj Kosovës. Kjo është normale për çdo shtet që mbron interesat e vetë”, ka thënë Ahmeti, raporton Koha.net.
Kujtojmë se sot, Kosova ka dështuar të sigurojë votat e mjaftueshme për pranim në UNESCO.
Për pranim të Kosovës në UNESCO votuan 92 shtete, kundër ishin 50, raporton Koha.net, ndërsa për t’u pranuar iu deshën edhe 3 vota.
Votimi i ardhshëm për pranimin e Kosovës në UNESCO mund të bëhet pas dy vjetësh.