Figura e Shpend Ahmetit ka bërë që partia e tij, Lëvizja “Vetëvendosje” të ketë rritje në Prishtinë.
E kjo sipas opinionistit Krenar Gashi pasqyrohet me faktin që kur Ahmeti e fitoi Prishtinën, LVV humbi në asamble.
“E kemi rastin e Shpend Ahmetit, i cili kur ka garuar me Vetëvendosjen nuk ka qenë i perceptuar shumë si Vetëvendosje, por si një djalë i ri, me përvojë, i Prishtinës. Dhe, e fiton garën ku Vetëvendosje nuk e fiton në asamble komunale dhe si rezultat i fitimit të garës së Shpend Ahmetit, Vetëvendosje rritet në Prishtinë”, ka thënë ai.
Duke i komentuar llojet apo tipat e kandidatëve për kryetar nëpër komuna, ai përmendi edhe Podujevën dhe kryetarin Agim Veliu.
“Pushteti i Agim Veliut është shumë i madh për shkak të natyrës së principatës që ai ka në Podujevë”, theksoi Gashi.
“E treta, që janë të deleguarit, që delegohen prej qendrës, të cilët kanë qenë deputetë, ministra, delegohen që të shkojnë dhe të kthejnë një lloj rezultati dhe aty jo domosdoshmërisht kemi të bëjmë me efektin e Shpendit apo me efektin e Agimit, është një nivel krejt tjetër”, ka thënë ai.
“Po krijojnë princa të vegjël të partive politike, të cilët nuk i japin përgjegjësi më partisë, e sidomos qytetarëve që i kanë zgjedh… Krejt kjo vjen si mungesë e konkurrencës së ideve”, përfundoi Gashi.



















